Me ardhjen e dimrit në Komunën e Malishevës fillojnë edhe reduktimet e rrepta të energjisë elektrike. Kjo gjë po përsëritet çdo vit.
Situata pa rrymë kur temperaturat janë të ulëta ka shkaktuar irritim në komunën që numëron mbi 54 mijë banorë.
Ekrem Kastrati, kryetar i Komunës së Malishevës, ka treguar për Gazetën Express se qytetarët e kësaj komune janë tejet të dëshpëruar dhe mllefosur.
”Po dëmtohen bizneset, ekonomitë familjare janë në gjendje të vështirë. Është një kaos i vërtetë në qytet“, tha Kastrati teksa rrëfente se janë bërë nëntë ditë që kur terri mbuloi Malishevën me rrethinë.
Problemi është specifik në këtë komunë – nuk ka investime në infrastrukturën energjetike, rrjedhimisht kur gjatë dimrit rritet konsumi atëherë nuk mund të mbulohet nevoja për energjinë.
”Reduktimet janë të paplanifikuara, varësisht prej fshatit“, thotë Kastrati.