Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeff Hovenier ka mirëpritur vendimin e qeverisë së Kosovës që u mundëson qytetarëve kalimin nga patentë shoferët e lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Në një postim në Facebook, Hovenier ka thënë se mbështet përpjekjet që mundësojnë integrimin e mëtejshëm dhe avancojnë vizionin e përbashkët për “një Kosovë gjithëpërfshirëse, multietnike”.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e qeverisë së Kosovës për të lehtësuar dhënien e patentë shoferëve kosovarë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ne mbështesim përpjekjet që mundësojnë integrimin e mëtejshëm dhe avancojnë vizionin tonë të përbashkët për një Kosovë gjithëpërfshirëse, multietnike”, ka shkruar Hovenier.