Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti, pasi u ankua se opozita parlamentare po i konteston në Gjykatën Kushtetuese ligjet e miratuara nga Ekzekutivi.
Në një postim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Hoti ka shkruar se ai që ka frikë për ta bërë një gjë të tillë, ka qëllime politike e jo fisnike.
Tutje, deputeti i LDK-së ka thënë se ligjet dërgohen në Kushtetuese kur ka dyshime se mund të cenohet rendi kushtetues.
“Ai që ka frikë dhe që shpreh kundërshtim ndaj dërgimit të ligjeve në Kushtetuese, ka qëllime politike e jo fisnike, të cilat nuk janë në interes të qytetarëve, por të tij personalisht”, shkroi Hoti.
Ndryshe, kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën tha se duke i kontestuar ligjet e Qeverisë në Kushtetuese, opozita “po bën përpjekje dëshpëruese për paralizim të reformave”.
“Në historinë 15-vjeçare të shtetit të pavarur të Kosovës, nuk mbaj mend që kaq shumë ligje të jenë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese brenda një kohë kaq të shkurtër. Kontestimi i tyre është përpjekje dëshpëruese për paralizim të reformave”.
“Njëkohësisht është kundërshtim i hapur i nevojës shoqërore dhe kërkesës qytetare, si dhe vullnetit demokratik të 14 shkurtit. Pavarësisht kësaj, përkushtimi ynë mbetet i njëjtë”, u shpreh Kurti.