F.B.
Deputeti i LDK-së Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë për Projektligjin e ri për sigurime shëndetësore, duke thënë se ky projektligj është vetëm një kopje e ligjit ekzistues që nga viti 2014.
Në një postim në Facebook, Hoti ka thënë se shumica e neneve të projektligjit, janë identike me ligjin në fuqi, përveç disa ndryshimeve në organizim dhe zgjerim të disa elementeve.
“Projektligji i ri për sigurime shëndetësore është përgatitur për të mbuluar dështimin 4-vjeçar në shëndetësi. Nga krahasimi nen për nen i projektligjit të ri me ligjin në fuqi të vitit 2014, vërehet se shumica e neneve janë pothuajse identike. Disa nene janë riorganizuar e janë zgjeruar, por që nuk ndryshojnë asgjë në esencë krahasuar me ligjin ekzistues. Shkalla e kontributit mbetet e njëjtë, 3.5% nga punëdhënësi dhe 3.5% nga punëtori. Është shtuar mundësia që Fondi të ofrojë sigurime shëndetësore vullnetare sikurse siguruesit e licencuar në sektorin privat. Janë definuar pak më në detaje disa elemente, në veçanti sa i përket personave të varur nga i siguruari dhe të tjerët që duhet të mbulohen me sigurim nga shteti”, ka shkruar Hoti.