Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë arrestuar të premten në Gjakovë një zyrtar policor me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale ‘Ngacmim seksual’.
Në njoftimin për media thuhet se hetuesit e IPK-së janë njoftuar përmes telefonit lidhur me dyshimet se ky zyrtar policor kishte kryer veprime të kundërligjshme.
“IPK në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë ka filluar një hetim ndaj zyrtarit të dyshuar për veprën penale ‘Ngacmim seksual’ ndaj një viktime të mitur. Hetuesit në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore ku pas këtyre veprimeve fillestare hetimore zyrtari policor është arrestuar dje kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se për veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.