Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se është takuar me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Departamentin e Shtetit.
Haradinaj në një postim në Facebook ka thënë se me Escobar kanë diskutuar për nevojën për arritjen e marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Në një takim të hapur dhe të sinqertë diskutuam zhvillimet politike në Kosovë, me theks të veçantë nevojën për arritjen e marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.
Haradinaj ka falënderuar emisarin amerikan Gabriel Escobar për angazhimin e tij dhe të administratës amerikane tash e shumë dekada dhe e ka inkurajuar për thellim të marrëdhënieve dhe që mbështetja ndaj Kosovës të shtohet.
“Arritjet e Kosovës, nga vitet e 90-ta, lufta çlirimtare dhe shtetndërtimi kanë ndodhur në partneritet të përbashkët. Edhe Marrëveshja Finale duhet të jetë fitore e përbashkët.
Do të punojmë ngushtë me ShBA-të që partneriteti për paqe dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO të arrihet me urgjencë pasi që është jetike për paqe të qëndrueshme në rajon”, ka shkruar Haradinaj më tej në Facebook.