Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas arrestimeve të sotme lidhur me aferën për rezervat shtetërore.
Ai e ka quajtur kryeministrin Albin Kurti të sëmurë për pushtet, derisa kërkon mocion të mosbesimit.
“Degradimi i qeverisë ka arritur në përmasa enorme, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm. Përderisa kaq shumë zyrtarë qeveritarë dhe persona të afërt me qeverinë e partinë në pushtet, janë të përfshirë në skandale nga më të ndryshmet, të padëgjuara më parë në Kosovë, atëherë akuzat drejtohen vetëm në një adresë. Koka dhe udhëheqësi i tyre, është pikërisht ai që i ka angazhuar dhe i ka veshur me pushtet e përgjegjësi, kryeministri i vendit dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti. Duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një njeri të sëmurë për pushtet, të papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm, e që nuk dorëhiqet, obligohet mobilizimi i të gjithë atyre që e duan Atdheun dhe që përfaqësojnë interesat e vendit dhe qytetarëve, pa dallime partiake.”
Haradinaj tha se thirrja e seancës së jashtëzakonshme për shkarkimin e qeverisë përmes mocionit të mosbesimit është zgjidhja e vetme “për të shpëtuar vendin dhe për t’i hapur rrugë qeverisë së unitetit kombëtar dhe zgjedhjeve të reja”.