F.B.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nëpërmjet një postimi në Facebook ka akuzuar Qeverinë për qasje të gabuar, e cila sipas tij është arsye e vrasjeve të shumëfishta të ditëve të fundit në vend.
“Qasja e gabuar e Qeverisë dhe e MPB-së duke zhvendosur elementin kyç në shoqëri, sigurinë publike, brenda agjendës së saj puro politike, kanë bërë që elementet me prirje kriminale të organizohen në banda, të cilat sot cenojnë të papenguara jetën e qytetarëve”, ka shkruar Haradinaj.
Tutje ai ka përmendur rastin e vrasjes në Skënderaj, e cila sipas tij, është dëshmi që nxjerr në pah pafuqinë e qeverisë si dhe guximin e grupeve kriminale për të vepruar.
“Mungesa e vizionit dhe përkushtimit të qeverisë e MPB, ngritë dyshime të shumta se ky nivel i lartë i cenimit të sigurisë publike dhe neglizhenca institucionale për të parandaluar këto lloje të krimeve nga të cilat çdo ditë është duke u tronditur vendi, ka për qëllim zhvendosjen e vëmendjes së opinionit nga skandalet dhe aferat e shumta korruptive të qeverisë”, ka shkruar tutje kreu i AAK-së.
Haradinaj tutje ka thënë se qytetari ka mbetur i pambrojtur, ndërkaq Qeveria ka mungesë profesionale për çështje komplekse siç është siguria.