Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se është tejet shqetësuese mungesa e vullnetit politik nga Qeveria Kurti për të luftuar korrupsionin.
Ai një vlerësim të tillë e bëri në një konferencë për media, një ditë pas publikimit të raportit të ‘Transparency International’, ku Kosova nuk bëri progres në renditje sa i përket korrupsionit.
“Edhe një herë me radhë, raportet ndërkombëtare po dëshmojnë se Qeveria e Kosovës, përmes zyrtarëve të saj, po vazhdon të sulmojë organet e drejtësisë, të mbrojë njerëzit e saj të korruptuar dhe të pengojë hetimet e pavarura ndaj tyre. Këtë, dje e dëshmoi edhe Transparency International, e cila në publikimin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2023, ka renditur Kosovën në pozitën e 83-të në ranglistën botërore, me vetëm 41 pikë. Pra gjatë vitit të kaluar, Kosova nuk ka pasur asnjë progres në luftën kundër korrupsionit. Republika e Kosovës në rang botëror mban pozitën e 83-të, njëjtë me vendet si Burkina Faso, Afrika e Jugut dhe Vietnami”, theksoi Gruda.
Ai tutje ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës ka denoncuar vazhdimisht, gjatë tri viteve të kaluara të kësaj Qeverie, tendencat dhe veprimet e saj kundër sistemit të drejtësisë në vend, si shkarkimi i shefit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve në Policinë e Kosovës, Shemsi Haziri me qëllim të pengimit të hetimeve për korrupsion ndaj drejtori të KEK-ut Nagip Krasniqi, si dhe pengimi i konstituimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për hetimin e aferës me vjedhjen e rezervave shtetërore nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.
Gruda tutje ka theksuar se PDK fton Qeverinë të ndalojë menjëherë sulmet ndaj organeve të drejtësisë dhe t’i hapë rrugë hetimeve të pavarura deri në zbardhjen e të vërtetës së plotë të të gjitha aferave korruptive.