Arsenali ka regjistruar edhe fitoren e shtatë radhazi në Premierligë, duke vazhduar kështu me hapa të sigurt rrugën drejt titullit të kampionit.
Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta fitoi me lehtësi sot ndaj Leeds Unitedit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 29-të, shkruan Gazeta Express.
Ndeshja e zhvilluar në “Emirates Stadium” përfundoi me rezultatin 4:1.
Gabriel Jesus (35′ nga penalltia, 55′), Ben White (47′) dhe Granit Xhaka (84′) shënuan në fitoren e “Topçinjve”.
Për Xhakën ishte ky goli i tij i pestë në elitën e futbollit anglez këtë sezon. Ai ka edhe pesë asistime gjithashtu.
Golin e vetëm dhe të nderit për skuadrën mysafire e shënoi Rasmus Kristensen (76′).
Arsenali pas kësaj fitore ka 72 pikë dhe vazhdon kryesimin në tabelë, tani me 8 pikë më shumë se Manchester City, që ka një ndeshje më pak.
Leeds United ndodhet në pozitën e 16-të me 26 pikë.