Gazetari i gazetës së njohur gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Michael Martens, e ka vlerësuar absurd kërcënimin e Bashkimit Evropian me sanksione ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, teksa po shfaqet e butë karshi Serbisë.
“Për situatën aktuale në Ballkan: BE-ja po kërcënon me sanksione ndaj qeverisë Kurti në Kosovë, por jo ndaj liderëve serbë Vuçiq dhe Dodik. Kjo është absurde, thënë më së buti. Por duket se ka një shpjegim për butësinë perëndimore ndaj Beogradit”, ka shkruar Martens në “Twitter”, i cili është njohës i mirë i rrethanave në Ballkanin Perëndimor.
Në fakt, Komisioni Evropian ka përgatitur një listë masash kundër Kosovës për shkak të situatës në veri, por shumë liderë janë shprehur kundër vendosjes së sanksioneve vetëm për njërën palë.