Ambasada e Francës në Kosovë ka reaguar lidhur me aksionet e fundit të autoriteteve kosovare kundër strukturave të Serbisë që operojnë në territorin e Kosovës dhe që ofrojnë shërbime për komunitetin serb. Përmes një deklarate të publikuar në rrjetin social Facebook, ambasada shpreh shqetësimin e saj për këto veprime, siç i quan, të përsëritura.
“Veprimet e përsëritura nga autoritetet kosovare kundër strukturave të Serbisë në Kosovë që ofrojnë shërbime për komunitetin serb janë shqetësuese. Çështja e këtyre strukturave duhet të trajtohet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në reagimin e ambasadës franceze.
Tutje, Franca thekson se këto veprime mund të ndikojnë negativisht në raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.
“Këto veprime dërgojnë një sinjal negativ për partnerët e Kosovës. Franca po ndjek me kujdes ndikimin e këtyre vendimeve në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë”, përfundon deklarata.