F.B.
Presidenti Eugen Saraçini dhe sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Izet Gjinovci janë kthyer me lajme shumë pozitive nga Kolni i Gjermanisë, ku ishin për pjesën finale të Kampionatit Evropian për hendbollistë.
FHK-ja do të organizojë dy Kampionate Evropiane për hendbollistë.
Bëhet fjalë për Kampionatet Evropiane U20 dhe U18 që do të mbahen gjatë verës.
Lidhur me këtë sukses të jashtëzakonshëm, presidenti Saraçini dhe sekretari i përgjithshëm, Gjinovci, të martën kanë mbajtur konferencë për shtyp.
“Dëshirojmë të informojmë se FHK-ja, përkatësisht Kosova, do të jetë nikoqire e dy kampionateve evropiane. Atij U20 që do të mbahet nga data 13 deri më 21 korrik dhe U18 që do të mbahet nga data 12 deri më 18 gusht. Këtë vendim e ka marrë Komiteti Ekzekutiv i Federatës Evropiane të Hendbollit me datën 29 të këtij muaji. Paraprakisht kemi qenë në komunikime të vazhdueshme dhe kemi shprehur gatishmërinë që të jemi organizator të këtyre ngjarjeve dhe pas diskutimeve të shumta kemi dëshmuar se jemi në gjendje të bëjmë një organizim të tillë. Federata Evropiane ka vendosur që këto dy ngjarje të mëdha të mbahen në Kosovë.
Kjo edhe ndoshta do të jetë arritja më e madhe e FHK-së në aspektin organizativ, ku në këto kampionate evropiane për meshkuj do te marrin pjesë edhe ekipet tona që do të sfidohen nga ekipet evropiane. Ekipet kombëtare që do te marrin pjesë në Kampionatin Evropian U20 do të jenë: Belgjika, Bullgaria, Estonia, Finlanda, Britani e Madhe, Gjeorgjia, Letonia, Luksemburgu, Lituania, Sllovakia, Turqia dhe Kosova. Ndërkohë, në Kampionatin Evropian U18 janë Azerbajxhani, Belgjika, Bullgaria, Britania e Madhe, Gjeorgjia, Luksemburgu dhe Kosova. Pra, në kampionatin U20 do të paraqiten 12 ekipe, ndërsa në U18 do të jenë tetë ekipe kombëtare. Në kuadër të aktiviteteve të këtij viti do të kemi edhe ekipin U18 të femrave që nga data 28 shkurt do të marrë pjesë në turneun “EHF Trophy Intercontinencal” që Uzbekistan, e ku synojmë kualifikimin për Botërorin që mbahet në muajin gusht të këtij viti në Shangai të Kinës.
Ekipi U16 do të jetë pjesë e garave Mesdhetare që do të mbahet nga data 25 shkurt deri më 3 mars në Podgoricë. Ekipi A i femrave në fillim të muajit prill do të zhvilloj ndeshjet kualifikuese në kuadër të fazës finale për kualifikim në Evropianin 2024, ku do të përballet me Poloninë”.