Trajneri nga Nigeria, Emmanuel Egbo e ka nisur me fitore aventurën si trajner i Prishtinës.
Bardhekaltrit kishin shtatë ndeshje pa fitore, ndërsa sonte arritën të triumfonin në sekondat e fundit të takimit.
Kryeqytetasit triumfuan 2:1 me Gjilanin në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Prishtina kaloi në epërsi në minutën e 43-të nëpërmjet Blesas.
Rezultati u barazua në minutën e 85-të nëpërmjet Redon Ismailit.
Por, Blesa doli edhe njëherë në skenë, duke ia sjellë fitoren vendasve.
Me këtë fitore, Prishtina shkon në vendin e katërt me 16 pikë të grumbulluara.
Në anën tjetër, Gjilani mbetet i shtati me 11 pikë gjithsej.