Kapiteni i FC Ballkani, Edvin Kuç është shpallur më i miri i javës së 35-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Ai e fitoi çmimin “Ylli i Javës”, që ndahet çdo javë nga FFK dhe partneri i saj Albi Mall, pasi në ndeshjen kundër Ferizajt shënoi golin e parë, në fitoren 2:0 dhe ishte njëri nga më të mirët në fushën e gjelbër, duke ia siguruar Ballkanit edhe zyrtarisht titullin e kampionit për të dytin vit rresht.
Pasi mori këtë çmim, Kuç u shpreh i lumtur që skuadra e tij e përmbushi me sukses misionin e saj për mbrojtjen e titullit të kampionit dhe atë një javë para mbylljes së kampionatit.
“Të shpallesh Ylli i Javës në xhiron kur edhe jemi rishpallur kampion për herë të dytë radhazi është një kënaqësi e veçantë. Si kapiten jam krenar me ekipin dhe me ecurinë që kemi treguar në këtë edicion. Rruga për ta mbrojtur titullin kampion nuk ka qenë e lehtë. Kemi pasur shumë ndeshje, kemi lëshuar shumë pikë rrugës, por në fund karakteri i skuadrës, puna e shtabit teknik dhe organizimi i mirë i klubit kanë bërë që sërish trofeu i kampionit të vijë në Suharekë. Këtë çmim por edhe titullin kampion ia dedikoj kryesisë, tifozëve dhe familjes tim, e cila çdo herë më ka qëndruar afër”, ka theksuar Edvin Kuç.
Ballkani në javën e fundit të këtij edicioni do të luajë si mysafir i Gjilanit dhe pas kësaj ndeshje do të kurorëzohet edhe me titullin e kampionit nga Federata e Futbollit e Kosovës.