F.B.
Real Madrid u përball me Lille në kuadër të rrethit të dytë në Ligën e Kampionëve, me ndeshjen e cila u zhvillua në Francë.
Ishte ekipi francez ata që shkaktuan befasinë duke fituar me rezultat minimal 1-0 për t’ia shkaktuar madrilenëve humbjen e parë në këtë format të ri të Ligës së Kampionëve.
Ndikim të madh në këtë fitore pati padyshim ylli kosovar Edon Zhegrova, i cili ishte përgjegjësi kryesor për penalltinë të cilën e fitoi ekipi i tij.
I saktë nga pika e bardhë më pas ishte treguar Jonathan David, i cili kishte shënuar për rezultatin 1-0 që në fund doli të ishte epilogu përfundimtar i këtij takimi.
Pas përfundimit të ndeshjes, tashmë është zbuluar nga Zhegrova se ylli i Real Madridit, Kylian Mbappe, ia ka dhuruar fanellën e tij të nënshkruar personalisht nga ai.
Këtë fotografi sot (e hënë) e ka postuar Zhegrova në rrjetet sociale, ku në të njëjtën kohë ka shprehur rastin që ta falënderojë francezin për këtë veprim.