Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, do të takohet sot me zëvendëskryeministrin e vendit, Besnik Bislimin.
Pas takimit, Hovenier do të ketë një adresim për media rreth orës 11:40 përpara ndërtesës së qeverisë, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.
Takimi i Hovenierit me Bislimin vjen një ditë pas takimit që ky i fundit e pati në Bruksel dje me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, dhe kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.
Bislimi pas takimit tha se në aty është diskutuar për dy tema.
“Ftesa iu ka pasur dy tema në agjendë. Tema e parë ka pasur avancimi i marrëveshjes bazike e aneksit implementues, si dhe tema e dytë është çështje të tjera”, tha ai.
“U dakorduam që deri të premten secila pale të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet zgjidhja afatgjate e dinarit. Dhe pastaj javën e ardhshme do të mblidhemi sërish të diskutojmë se a mund të gjejmë hapësire që këto dy propozime të bëhen një propozim”, ka thënë Bislimi.
Ndërkohë Lajçak ka thënë se për çështjen e dinarit do të vazhdojnë diskutimet të hënën.
Por ai ka shtuar se marrëveshja do të duhet të adresohet nga liderët, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.