Deputetja shqiptare në Kuvendin e Kroacisë, Ermina Lekaj Përlaskaj, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit kroat, Zoran Milanoviqit se “Kosova është marrë nga Serbia”, duke theksuar se themelet e pavarësisë së Kosovës janë të njëjtat që çuan në pavarësinë e Kroacisë, raportojnë mediat kroate.
“Shtetësia e Kosovës nuk mund të sfidohet sepse ajo u bë e pavarur sipas të njëjtit model si Kroacia”, tha të hënën deputetja e pakicës shqiptare në Kuvendin Kroat, përcjell Gazeta Express.
“Republika e Kosovës u krijua në procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë, njësoj si Republika e Kroacisë”, tha ajo, duke theksuar se sipas Kushtetutës së Jugosllavisë të vitit 1974, “krahina e Kosovës nuk ishte vetëm një pjesë e Serbisë por edhe element përbërës i federatës”, përcjell Gazeta Express.
“Kosova vetëqeverisëse u degradua në njësi administrative në të cilën u zbatua një regjim policor dhe persekutim masiv i popullatës shumicë shqiptare”, theksoi ajo E gjithë kjo, për shkak të rrezikut të një fatkeqësie dhe shkeljes së dispozitave të së drejtës ndërkombëtare humanitare, çoi në një ndërhyrje humanitare, e cila është e njohur në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe pikërisht në zonën e Europës Juglindore”, tha ajo, duke shtuar se sfidimi i shtetësisë së Kosovës do të ishte njësoj si sfidimi ndaj Greqisë apo Bullgarisë moderne.
“Ashtu siç Kushtetuta e Jugosllavisë e vitit 1974 dhe aktet e tjera juridike dhe vendimmarrja demokratike e qytetarëve ishin baza juridike dhe faktike për pavarësinë e Republikës së Kroacisë, i njëjti model është aplikuar edhe për rastin e pavarësisë së Republikës së Kosovës”, ka përfunduar ajo.
Presidenti kroat, Zoran Milanoviq tha sot se “Krimeja nuk do të jetë më Ukrainë”, duke thënë se bashkësia ndërkombëtare tashmë ka krijuar precedent me Kosovën.
“(Kosova) është rrëmbyer nga Serbia. Kosova është marrë nga Serbia, a është kështu? A e kemi njohur Kosovën, po e kemi njohur. Unë jam prapa Kosovës, por pasi kjo është bërë njëherë (aneksimi), pra pa vullnetin e shtetit (Serbisë), të cilës Kosova i ka takuar e kjo ka qenë Serbia, respektivisht Jugosllavia, e cila për ne nuk është shtet mik dhe as që jemi brengosur për ta, ka qenë vetëm çështje kohe se kur Rusia apo dikush tjetër do të bëjë të njëjtën dhe kjo tani po ndodhë”, ka thënë Milanoviq.