Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar sot se pret që këtë vit Kodi Civil të votohet në Kuvend.
Ajo, ka treguar se kanë biseduar edhe me deputetët e VV-së, të cilët kanë pasur qëndrim ndryshe nga partia dhe se është optimiste se edhe ata do ta mbështesin.
Deklaratës së ministres Haxhiu, i janë përgjigjur dy deputetët e pushtetit, Gramos Agusholli e Ekrem Mustafa.
Ata kanë thënë se nëse Kodi Civil vjen në Kuvend me formatin e njëjtë përsëri do të votojnë kundër.
“Nëse Kodi Civil e përsëris edhe njëherë vjen me të njëjtin format ashtu siç ka qenë nuk votohet”, ka thënë Agusholli.
Kurse, deputeti Ekrem Mustafa ka deklaruar se nëse janë bërë ndryshimet e kërkuar do të votojnë për.
“Kodin Civil ne herën e kaluar e kemi votuar kundër. Tash kur të vjen në Kuvend e shohim, kemi kërkuar që të ketë ndryshime në dy nene dhe nëse ka plotësim-ndryshim atëherë pse jo ne mund ta votojmë edhe për. Nëse, kërkesat e tona përfillen ne jemi të gatshëm me votu për”, ka deklaruar ai.
Por, kur është pyetur se cila do të jetë vota e tij nëse nuk janë bërë ndryshimet, ai ka dhënë këtë përgjigje.
“Ne nuk e ndryshojmë qëndrimin brenda ditës, apo brenda natës, kemi pas arsyet tona pse kemi qenë kundër kështu që qëndrimi mbetet i njëjtë”, ka shtuar ai.