Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ka thënë se pa pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në institucione si policia, gjyqësori, administrata komunale etj., nuk do të kthehet ndjenja e normalitetit në jetën e përditshme.
Një deklaratë të tillë Davenport e ka bërë gjatë një interviste në RTK 2, me rastin e shënimit të 10-vjetorit të fillimit të kanalit në gjuhën serbe në transmetuesin publik të Kosovës.
“Siç kemi dëgjuar nga BE-ja dhe faktorë të tjerë, duhet të ketë zgjedhje gjithëpërfshirëse në mënyrë që kryetarët e komunave në veri të kenë legjitimitetin e nevojshëm. Sigurisht që edhe misioni ynë është i gatshëm të ndihmojë në këtë drejtim”, ka thënë Davenport.
Ai tutje ka thënë se situata në veri është shumë e tensionuar. “Edhe pse zgjedhjet janë zhvilluar në përputhje me legjislacionin, situata nuk është e qëndrueshme për kryetarët e zgjedhur nga një numër shumë i vogël votuesish. Nga ana tjetër, çdo dhunë është krejtësisht e papranueshme. Fatkeqësisht, pati përplasje dhe sulme në të cilat u plagosën policë, përfaqësues të misioneve ndërkombëtare dhe gazetarë, në disa raste rëndë. Para së gjithash, duhet të ketë një qetësim të tensioneve dhe një shtensionim të situatës. Siç e kam thënë në disa raste, pa pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në institucione si policia, gjyqësori, administrata komunale etj., nuk do të kthehet ndjenja e normalitetit në jetën e përditshme”, ka shtuar Davenport.