Prishtina e ka mbyllur sezonin me trofe, pasi sonte ia doli të fitojë trofeun e Kupës së Kosovës.
Skuadra e drejtuar nga Debatik Curri mposhti Gjilanin në finale të kësaj gare.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” përfundoi me rezultatin e pastër 0:2.
Prishtinasit ia dolën të triumfojnë me golat e shënuar nga Genc Hamiti (67’) dhe Mërgim Pefqeli (78’).
Kampioni i kësaj gare e siguron edhe pjesëmarrjen në garat evropiane, por kjo nuk do të ndodhë me Prishtinën pasi ky klub nuk është licencuar.
Trajneri i “bardhekaltërve”, Debatik Curri, nuk pranoi të flasë pas ndeshjes rreth kësaj çështjeje.
“Nuk dua të flas për licencim, nuk jam kompetent. Unë jam kompetent për fushë dhe kemi dhënë maksimumin në fushë”, tha ai për mikrofonin e “Art Sport”.
Tutje, Curri shtoi: “Prishtina nuk është asnjëherë e dobët. I kam dëgjuar shumë. Prishtina kur është duke u fundosur, ngrihet. Prishtina në momentin më të rëndësishëm di të ngrihet dhe të fitoj trofe. Jam shumë i lumtur. Kemi pasur vështirësi gjatë sezonit, sidomos në muajt e fundit, jo licencimi, jo ajo jo kjo. Por, i kemi mbledhur forcat dhe jam i kënaqur me futbollistët që sakrifikuan shumë. Falënderoj edhe ‘Plisat’ për përkrahjen. Është trofeu im i parë si trajner dhe ndjenjë e mirë. Kam qenë fëmijë i Prishtinës. Nuk e kam përfaqësuar asnjë skuadër tjetër”.
Ndryshe, për Prishtinën është hera e tetë në histori të klubit që e fiton Kupën e Kosovës.