F.B.
Manchester City e ka mbyllur një sezon për t’u harruar, pasi u mposht 1-0 në finalen e FA Cup nga Crystal Palace, kjo e fundit shkroi historinë duke fituar trofeun e parë madhor në historinë e këtij klubi.
Ndeshja në ‘Wembley’ nisi furishëm dhe pas vetëm 16 minutash, Eberechi Eze zhbllokoi rezultatin me një goditje të saktë, pas një asistimi të bukur nga Daniel Muñoz.
Në minutën e 36-të, Manchester City fitoi një penallti të diskutueshme, pas një simulimi të dukshëm nga Bernardo Silva – një vendim që edhe pas rishikimit nga VAR u konsiderua i rregullt, duke shkaktuar polemika të mëdha.
Megjithatë, fati ishte në anën e skuadrës londineze, pasi portieri Dean Henderson priti goditjen e Omar Marmoush, duke e ruajtur rezultatin 1-0.
Në minutën e 58-të, Daniel Munoz realizoi për herë të dytë, por goli u anulua nga sistemi VAR për pozitë jashtë loje të një bashkëlojtarit, që kishte prekur topin para golit.
Pavarësisht përpjekjeve të shumta të Citizens për të barazuar, mbrojtja e Crystal Palace rezistoi deri në fund, duke siguruar një fitore historike.
Me këtë triumf, Crystal Palace jo vetëm që fitoi për herë të parë FA Cup-in, por gjithashtu siguroi një vend në edicionin e ardhshëm të Ligës së Evropës.
Në anën tjetër, sezoni pa trofe për Manchester Cityn është një goditje e rëndë për skuadrën e Pep Guardiolës, që për herë të parë pas shumë vitesh largohet nga sezoni pa asnjë trofe.