RTSH
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama zhvilloi një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin e KiE, Antonio Costa, i cili ka ardhur në Shqipëri në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian, që do të zhvillohet ditën e nesërme në Tiranë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa ka vlerësuar punën e bërë nga qeveria shqiptare në kuadër të procesit të integrimit, si dhe ecurinë institucionale të reformave të realizuara deri në përmbushjen e objektivit kryesor, që është integrimi në BE.
Gjithashtu Costa ka uruar dhe kryeministrin Edi Rama për fitoren e zgjedhjeve.
“I dashur Edi. Më lejoni t’ju përgëzoj edhe një herë për këtë fitore mbresëlënëse.
Kënaqësi për mua që përmbyll turin e takimeve në gjashtë vendet e Ballkanin Perëndimor. Sikurse e dini që zgjerimi i Be për vendet e Ballkanit perëndimor është investimi më i madh gjeopolitik që në po bëjmë për momentin. Ndaj ky është momenti i duhur dhe e kemi ne në dorë tashmë për të arritur këtë proces sa më shpejt të jetë e mundur. Shqipëria është mishërimi i procesit të zgjerimit të BE duke qenë në rrugën e duhur drejtë anëtarësimit në BE. Rezultati i zgjedhjeve këtë javë konfirmojë edhe një herë dëshirën e qytetarëve shqiptar për t’u integruar në BE.
Për sa i përket anëtarësimit në BE, Costa u shpreh i sigurt, duke thënë se tani nuk është e rëndësishme të pyetet si dhe pse, por kur do të anëtarësohet Shqipëria. Costa shprehu besimin se anëtarësimi mund të ndodhë edhe më përpara afatit, teksa konfirmoi se vendimi i BE-së për zgjerimin në rajon është përfundimtar dhe i pandryshueshëm.
“Ju e dini konkretisht se çfarë duhet bërë dhe ajo që dëshiroj të bëjë është vetëm që t’ju inkurajoj që sytë t’i mbani drejt këtij objektivi dhe të arrini rezultate të tjera. Anëtarësimi është i mundur. Nuk bëhet fjalë pse, por kur. Ju e dini se si bëhet. Ju inkurajoj t’i mbani sytë te ky objektiv dhe t’i shkoni deri në fund sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe reformave.
Qëndrojmë së bashku në arenën ndërkombëtare. Dialogu i parë në nivelet të lartë BE-Shqipëri para pak kohe ishte shembull përafrimi. Këtë javë kemi dhe samitin e Komunitetit Politik me 40 udhëheqës, që organizohet për herë të parë në këtë pjesë të Evropës. Jam i bindur se takimi do jetë mbresëlënës,” tha ai.
Duke shprehur falënderime, presidenti i KiE-së përgëzoi edhe Federica Mogherini për nismën e realizimit të Kolegjit të Evropës në Shqipëri.
“Evropa nuk do të thotë vetëm begati apo vetëm vlera. Evropa ka nevojë edhe për fytyrën tonë të përbashkët për të ardhmen e përbashkët, ndaj është kënaqësi që shoh këtu vitin e parë të studentëve, sepse pas themeluesve e etërve të BE-së ky është moment i rëndësishëm, si në 1992 për një hap tjetër të rëndësishëm. Dhe fatmirësisht ju keni këmbë të forta dhe të gjata për ta bërë këtë hap.“