Gjykata Kushtetuese është duke proceduar kërkesën e Avokatit të popullit, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Pagat. Nga kushtetuesja thonë se nuk kanë afat të caktuar për vendimmarrje, por se këtë rast do ta trajtojnë me përkushtimin më të lartë. Nga shoqëria civile thonë se bazuar në standardet ndërkombatare e kushtetuese, Ligji i Pagave mund të shpallet antikushtetues.
Pas 104 ankesave të pranuara nga subjekte të ndryshme të sektorit publik, Avokati i Popullit dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, që kishte hyrë në fuqi më 5 shkurt 2023.
Radio Kosova ka pyetur Gjykatën Kushtetuese se a ka filluar trajtimi i këtij rasti dhe kur (më së largu) mund të merret vendim për këtë çështje?
“Kjo kërkesë aktualisht është duke u proceduar. Gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar kushtetues-ligjor për vendimmarrje në këtë rast. Si çdo kërkesë tjetër të parashtruar nga institucionet, Gjykata është duke e trajtuar edhe këtë rast me seriozitetin dhe përkushtimin më të lartë”, kanë thënë në një përgjigje me shkrim nga Gjykata Kushtetues.