Shefi i Bashkimit Evropian për siguri e diplomaci, Josep Borrell e konsideron të kotë çdo përpjekje për të vënë në dyshim marrëveshjen që është propozuar nga BE dhe aprovuar nga Kosova e Serbia në takimin e Ohrit.
Në një deklaratë për media dhënë në Bruksel, ai tha se marrëveshja duhet të zbatohet dhe se nuk ka vend për zgjedhje tjetër.
“Është një e tërë dhe e tillë, duhet tё zbatohet nё mёnyrё holistike. Ndёrsa ne do të ndjekim nga afër se kush po zbaton dhe kush nuk po e zbaton. Unë do t’i këshilloja ata që të mos e drejtojnë gishtin tek askush, por ta bёjnё punën e tyre”, deklaroi Borell.
Kujtomë se në Bruksel, sot dhe të premten po zhvillohet samiti i liderëve të Bashkimit Evropian, nga i cili do të shprehet mbështetje edhe për marrëveshjen e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë samit pritet t’u bëhet thirrje të dyja palëve që të zbatojnë këtë marrëveshje.
Temat kryesore të samitit do të jenë Ukraina, forcimi i ekonomisë evropiane, energjia, emigracioni dhe forcimi i eurozonës.