Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, njoftoi se do të garojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Ai këtë njoftim e bëri përmes një videoje promovuese.
Në videon prej tre minutash, Biden, presidenti i 46-të i SHBA-së, tha se të drejtat e abortit, mbrojtja e demokracisë, të drejtat e votimit dhe siguria sociale do të jenë çështjet më kryesore gjatë garës presidenciale të vitit 2024.
Ai tha se votuesit do të përballen me zgjedhjen mes asaj nëse gjenerata e re do të ketë “më shumë apo më pak liri”dhe “më shumë apo më pak të drejta”.
“Çdo gjeneratë e amerikanëve është përballur me një moment kur janë dashur të mbrojnë demokracinë, të ngrihen për të drejtat e tyre personale, të ngrihen për të drejtat e votimit dhe të drejtat civile. Ky është momenti ynë”, tha Biden. REL