Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës, ka vendosur që për shkak të rrethanave të krijuara si rezultat i përfundimit të mandatit të Guvernatorit, si dhe në mungesë të Zëvendësguvernatorëve me mandat të plotë, posti i Guvernatorit të merret përkohësisht nga Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore.
Ndërsa, bordi i BQK-së, deklaron se dy anëtarët joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore, do të marrin përkohësisht postet e Zëvendësguvernatorëve.
“Vendimi si më lartë është marrë, me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së përmbushjes së objektivave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës siç është përcaktuar me Ligjin nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, shkruan në vendim.
Kryetar i Bordit është Bashkim Nurboja, që për rrjedhojë do të ushtrojë edhe detyrën e Guvernatorit të BQK-së.