Serbët lokale në veri të Mitrovicës sot kanë ngritur një barrikadë në Lagjen e Boshnjakëve.
Lagja e Boshnjakëve është një vendbanim i banuar me shqiptarë, serbë dhe boshnjakë dhe rruga ku është vendosur barrikada është një prej rrugëve që lidh Mitrovicën e veriut me atë të jugut.
Barrikadat e vendosura në veri të vendit tash e tetëmbëdhjetë ditë po vazhdojnë të qëndrojnë aty, ndërsa pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak mbesin të mbyllura për shkak të sigurisë.
Lidhur me situatën e krijuar së fundmi në veri të vendit, kryeministri Albin Kurti, të hënën, ka mbledhur në një takim Këshillin e Sigurisë së Kosovës. Në këtë mbledhje, thuhet se strukturat ilegale si dhe grupet kriminale po vazhdojnë të kryejnë akte ekstremiste ndaj qytetarëve të Kosovës, institucioneve shtetërore, ndaj pjesëtarëve të Policisë, gazetarëve, ndaj pjesëtarëve misionit të EULEX-it dhe njësive patrulluese të KFOR-it.