F.B.
Ballkani e ka fituar ndeshjen e parë kualifikuese për në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës ndaj Larne me rezultat 3-0.
Fillimisht u njoftua se kapiteni Edvin Kuç nuk mund të paraqitet në këtë ndeshje për shkaqe shëndetësore, duke u zëvendësuar nga Almir Kryeziu – që doli të ishte një fat për ta.
Albion Rrahmani shënoi nga penalltia në minutën e 26-të për 1-0, duke u sjell më shumë komoditet bashkëlojtarëve të tij.
Por, për t’i bërë gjërat edhe më mirë, Almir Kryeziu (33’), shënoi për 2-0, për t’i elektrizuar tifozët e skuadrës nga Suhareka.
Pjesa e parë përfundoi me këto dy gola, derisa në 45 minutat e dytë – skuadra kosovare vazhdoi me po të njëjtën tempo të lartë.
Ishte minuta e 67-të e takimit kur Nazmi Gripshi shënoi për 3-0, për të vulosur fitoren bindëse të skuadrës së tij.
Ballkani do të shpresojë që edhe në ndeshjen si mysafir të ketë një paraqitje të tillë dhe të kalojë në rrethin tjetër kualifikues.
Nëse skuadra kosovare e kalon Larne në ndeshjet e dytë që zhvillohet pas një jave, atëherë në rrethin tjetër të Ligës së Konferencës do të takohet me Lincoln Red Imps.