Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës reagoi me shqetësim pas njoftimit se qeveria i ka pezulluar certifikatën e biznesit televizionit Klan Kosova, duke e cilësuar këtë si veprim të pashembullt në historinë e re të Kosovës, dhe përpjekje për të diktuar dhe kontrolluar përmbajtjen mediale të televizionit,
Reagimi i Asociacionit pasoi njoftimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për nisjen e kallëzimit penal ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA”, zyrtarëve përgjegjës të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Ministria tha se ka vendosur “të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova” deri në një vendim tjetër”
Drejtoria e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve tha se kallëzimi penal është ngritur me “pretendimin se në certifikatën biznesit te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.
Më tej në vendim thuhet se “…nuk lejohet regjistrimi i një biznesi ku vendbanimi është në kundërshtim me parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që në bazë të këtij dokumenti vërtetohet se qyteti i Pejës dhe Gjakovës është nën administrimin e Republikës së Serbisë…”.