Alexander “Sasha” Kasanof është emëruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) për të zëvendësuar emisarin amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Gabriel Escobarin.
Sipas një njoftimi të publikuar në faqen e DASH-it, Alexander Kasanof nga e premtja e 19 korrikut është zëvendës ndihmës sekretar i Shtetit për Ballkanin Perëndimor si dhe për Shtypin dhe Diplomacinë Publike në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Evroaziatike.
“Ai ka shërbyer më parë si asistent ekzekutiv i ish-nënsekretares për Çështjet Politike, Victoria Nuland dhe ushtrues i detyrës së nënsekretarit për Çështjet Politike, John Bass. Sasha ka shërbyer jashtë shtetit në Irlandë, Turkmenistan, Kili dhe Ukrainë”, thuhet në faqen e DASH-it.
Tutje DASH-i shkruan se Kasanof mori çmimin James Clement Dunn për ekselencë për punën e tij si Këshilltar Politik në Ambasadën e SHBA-së në Kiev gjatë Revolucionit Maidan dhe pushtimit të mëvonshëm të Rusisë në Ukrainë.
DASH-i ka publikuar gjithashtu edhe detyrat e Kasanof në Uashington, të cilat përfshijnë: Drejtor i Zyrës së Politikave dhe Programeve Globale në Byronë e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit; zëvendësdrejtor i stafit të Sekretariatit Ekzekutiv; drejtor i Zyrës së Çështjeve të Evropës Lindore dhe; zëvendësdrejtor i Zyrës së Çështjeve të Kaukazit dhe Konflikteve Rajonale.
Alexander “Sasha” Kasanof është i diplomuar në Kolegjin Kombëtar të Luftës, Shkollën “Johns Hopkins” të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare dhe Kolegjin Hamilton. Sipas shkrimit të publikuar në faqe, Kasanof flet frëngjisht, italisht, rusisht dhe spanjisht.