Një aksident ka ndodhur rreth orës 15:45 në magjistralen Pejë-Prishtinë, në fshatin Qyshk, ku një automjet ka goditur një këmbësore. Si pasojë e goditjes, një 27-vjeçare ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar urgjentisht për trajtim në QKUK në Prishtinë.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes për të hetuar rrethanat e aksidentit.
“Rreth orës 15:45, policia është njoftuar për një aksident në magjistralen Pejë-Prishtinë, në fshatin Qyshk, ku një veturë ka goditur një këmbësore. E lënduara, e lindur në vitin 1998, për shkak të gjendjes së rëndë është dërguar për trajtim në QKUK në Prishtinë. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes për të hetuar rastin,” ka thënë për RTKlive zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Bëhet e ditur se drejtuesi i automjetit, i cili dyshohet për shkaktimin e aksidentit, është një punonjës i Policisë.