Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se Kosovës nuk i duhet një marrëveshje bazë që nuk e përmban njohjen.
Këtë Abdixhiku e tha pas takimit që kishte me Kryesinë e LDK-së si dhe me kryetaret Degëve.
“Sot, mbajtëm mbledhjen e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe mbledhjen me kryetarët e Degëve. Në të dy takimet, me unanimitet të plotë, u rikonfirmua qëndrimi i LDK-së mbi procesin e dialogut”, ka shkruar Abdixhiku ne Facebook, të hënën.
“Në vlerësimin tonë, të anëtarësisë sonë, Kosovës nuk i duhet një marrëveshje bazë që nuk e përmban njohjen. Vendit tonë i duhet një marrëveshje përfundimtare që në thelb ka njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve – si shtete të pavarura e sovrane. Çdo devijim nga ky orientim strategjik është papërgjegjësi e pariparueshme e Qeverisë aktuale”.
“Në këtë proces, koordinimi i ngushtë me aleatë mbetet jetik për të ardhmen euroatlantike të vendit tonë”, ka thënë kryetari i partisë opozitare.