Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku bashkë me anëtarë të kësaj partie ka bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, në 19 vjetorin e vdekjes së sij.
Abdixhiku e vlerësoi Rugovën si shqiptarin më të madh të të gjitha kohërave.
“Ibrahim Rugova është shqiptari më i madh i të gjitha kohërave, ai priu me dinjitet, arriti të krijojë shtetin e Kosovës dhe një ëndërr pas të cilës rreshtohemi të gjithë sot pa asnjë dallim”, tha Abdixhiku.
Ai tha se Rugova me urtësi, kokëfortësi, me mburrje e priu popullin e Kosovës në periudhën më të vështirë të tij.
“Ai krijoi aleanca ndërkombëtare dhe arriti që çështjen e popullit të Kosovës ta bëjë çështje ndërkombëtare drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Në këtë 19 vjetor kujtojmë se si ky rrugëtim, për një Kosovë të pavarur, sovrane, e anëtarësuar në NATO, BE dhe miqësi të përhershme me SHBA është domosdoshmëri e kohës dhe e popullit të Kosovës”, shtoi kreu i LDK-së.