Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, thotë se Instituti i Mjekësisë Ligjore është i monitoruar 24 orë nga kamerat dhe sipas tij dihet qartë se kush i ka nxjerrë mostrat e Astrit Deharit dhe i ka zhdukur ato. Ai ka thënë se lidhur me këtë rast kryeministri Kurti nuk e ka thënë asnjë fjalë dhe ky rast duhet të zbardhet.
Këto deklarata Abazi i dha në një konferencë të thirrur për media në Kuvendin e Kosovës.
“Audioinzicimet konfirmojnë diskutimin ndërmjet Saranda Bogujevcit, Mimoza Kusarit dhe Dojona Mihajlit për ngulfatjen e zërit të deputetëve përbrenda parlamentit. Videoincizimet janë ato të cilat ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari”, u shpreh ai.
Ai tha se shkarkimi i tij është minor krahas zhdukjes së mostrave të ish-aktivistit Astrit Dehari.
“Shkarkimi im është minor kundrejt borxhit që kemi për ta sqaruar se çfarë ka ndodhur me rastin Dehari dhe si është e mundur që në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit dhe kryeministri Kurti të mos e thotë asnjë fjalë të vetme për këtë gjë. Për ne as si shoqëri as si qytetarë e as si deputet nuk mund të rrijmë të heshtur përballë një procesi të këtillë dhe ne duhet të gjithë ta kryejmë punën që na takon për ta zbardhur këtë çështje deri në fund”, u shpreh ai, transmeton Gazeta Express.
“IML është i monitoruar 24 orë prej kamerave dihet qartë se kush ka hyrë tek frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat që kanë qenë të vendosura nën mostrat e tjera dhe janë zhdukur”, shtoi ai.
Tutje, për këtë çështje Abazi i ka dërguar porosi ministres Haxhiu që ta kryejë punën e saj.
“Porosia ime për ministren Albulena Haxhiu është të kryejë punën e saj si ministre, e para qytetarëve dhe deputetëve, ajo mbrëmë deklaroi se grupi parlamentar ka vendosur të bëhet shkarkimi im, kjo është një gënjeshtër e pastër, nuk ka vendim nga GP për shkarkimin tim”, tha ai.