Parlamenti Evropian ka miratuar Rezolutё me të cilën pёrshëndet liberalizimin e vizave, aplikimin e Kosovёs pёr statusin e kandidatit nё Bashkimin Evropian si dhe mbёshtet aplikimin pёr anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Nё kёtё rrafsh, shprehet keqardhja se Kosova është aktualisht e vetmja demokraci evropiane që nuk është ende anëtare e Këshillit të Evropës. I bёhet thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë presion ndaj Serbisë që të përmbahet nga përpjekjet për të izoluar vendin fqinj Kosovën nga skena ndërkombëtare duke bërë fushatë kundër njohjes së saj ose duke e përjashtuar vendin nga organizatat ndërkombëtare.
Serbisё i bёhet thirrje të heqë votën e saj bllokuese që e ndalon Kosovën të jetë anëtare e Këshillit të Evropës dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, gjë që, siç thuhet, përndryshe do të binte ndesh me Marrëveshjen e vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Sa i pёrket anёtarёsimit tё Kosovёs nё organizata tё ndryshme, porositet se pёrpos procesit tё reformave, suksesi nё procese do varet edhe nga pёrparimi nё dialogun me Serbinё. I bёhet thirrje Kosovёs dhe Serbisё që të angazhohen në frymën e kompromisit për të arritur “një marrëveshje gjithpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve, të bazuar në njohjen e ndërsjelltë, e në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”. Njёkohёsisht bëhet thirrje edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri me tash në dialog, përfshirë edhe atë për themelimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe. Në Rezolutёn e miratuar, përshëndetet përkushtimi për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por shprehet shqetësim për gjendjen e Gjyqësorit në Kosovë i cili, siç thuhet, , “vazhdon të jetë joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndërhyrjes së panevojshme politike”. Keqardhje shprehet për ndikimin negativ që ka pasur atmosfera e polarizimit politikë në punën e Kuvendit dhe u bëhet ftesë deputetëve të opozitës që ti japin fund praktikës së abstenimit.
Parlamenti Evropian gjithahstu përshëndet përshtatjen e Kosovës me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, sidomos dënimin e ashpër të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë. Pёr kёtё Rezolutё kanё votuar 452 eurodeputet, 87 ishin kundër, ndërsa 76 kanë abstenuar. Kjo ёshtё rezoluta e fundit nё mandatin ekzistues tё Parlamentit Evropian. Vitin tjetёr mbahen zgjedhjet evropiane dhe rrjedhimisht do kenё njё strukturё tё re tё eurodeputetёve.