Ka përfunduar pa fitues ndeshja e parë gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve, mes Real Madridit dhe Manchester Cityt.
Kësisoj, gjithçka ka mbetur e hapur për ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet në “Etihad Stadium”.
Ndeshja e parë, që u zhvillua sonte në “Santiago Bernabeu”, përfundoi me rezultatin 1:1.
Manchester City e nisi më mirë ndeshjen, duke regjistruar edhe disa goditje drejt portës kundërshtare, por ishin vendasit që në pushimin mes pjesëve shkuan me epërsi minimale.
“Los Blancos” kaluan në epërsi në minutën e 36-të përmes një goli të bukur nga distanca të Viniciusit.
“Qytetarët” u kundërpërgjigjen në mënyrë të njëjtë në pjesën e dytë, me Kevin De Bruyne që barazoi shifrat në minutën e 67-të, me një gol të bukur nga distanca gjithashtu.
Real Madridi ishte më kërkues në vazhdim, por nuk ia doli të shënonte dhe rezultati mbeti i pandryshuar.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 17 maj.