Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj draft-statutit të përpiluar nga Ekipi Menaxhues, i cili është bërë publik në media. Kreu i LDK-së ka deklaruar se ky draft-statut projekton federalizimin e Kosovës si koncept të ri organizativ pas shpalljes së pavarësisë.
“Dokumenti i draft-statutit, i përpiluar nga Ekipi Menaxhues, e i bërë publik në medie është më tepër se Asociacion dhe është më tepër se Autonomi – është shtet brenda shtetit; Republikë brenda Republikës. Ky draft-statut, në të 67 nenet e në nëntë kapitujt e tij, projekton Federalizimin e Kosovës si koncept të ri organizativ pas shpalljes së pavarësisë”, ka thënë Abdixhiku në një reagim me shkrim.
Në deklaratën e tij, Abdixhiku thekson se një trup që nxjerrë ligje, menaxhon asete kombëtare, pasuri publike e burime natyrore, organizon zgjedhje, mban referendume e merr kompetenca nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës – nuk ka vend në rregullimin shtetëror e kushtetues të Kosovës.
“Si i tillë, ai jo vetëm që duhet të refuzohet si bazë negociuese por dhe të refuzohet si ambicie politike. Në Kosovë nuk do të ketë parti, nuk do të ketë qeveri e nuk do të ketë njeri që mund ta pranojë një organizim të tillë”, ka shtuar Abdixhiku.
Ai tutje shtoi se qeveria e Kosovës duhet të marrë pronësinë në procesin vijues.
“Asociacioni bëhet nga institucionet tona dhe atë vetëm brenda rendit tonë kushtetues. Çdo ikje nga përgjegjësia është dorëzim dhe çdo dorëzim sjellë dokumente e koncepte të tilla; siç ka ndodhur dhe me këtë tani”, ka përfunduar Abdixhiku.