Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka thotë se vendi i tij prej vitesh po dështon në aspektin e tërheqjes së investimeve dhe jo vetëm nga korporatat serioze. Shkak sipas tij është mungesa e një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi.
Zeka thotë se megjithëse vëllimi i investimeve të huaja direkte në vend ka shënuar rritje, paratë po hidhen kryesish në sektorë që nuk krijojnë vendeve të qëndrueshme pune sikurse ai i pasurive të patundshme.
Zeka thotë se Oda Amerikane e Kosovës, në mënyrë të vazhdueshme i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, që të marrin me seriozitet përmbushjen e të gjitha detyrimeve, të cilat i kanë marrë përgjatë viteve, përmes nënshkrimit të marrëveshjeve të shumta për normalizimin e marrëdhënieve.
Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës zoti Zeka flet dhe mbi planet e qeverisë e Kosovës për themelimin e atij që do njihet si Fondi Sovran, nëpërmjet të cilit synohet që të merren në pronësi, pasuri strategjike të vendit, sikurse kompleksi metalurgjik i Trepçës, telekomi dhe korporata energjitike e Kosovës. Por zoti Zeka thotë se kjo nuk është forma e duhur për t’i kthyer këto kompani në fitimprurëse.