UASHINGTON – Kina burgosi më shumë gazetarë se vendet e tjera gjatë vitit të kaluar, me mbi 100 gazetarë që gjenden pas hekurave, njoftoi një organizatë për lirinë e shtypit. Këto masa vijne ndërsa qeveria e Presidentit Xi Jinping ka shtrënguar kontrollin mbi shoqërinë kineze.
Sipas “Reporterëve pa Kufij”, qeveria e zotit Xi është edhe një ndër eksportuesit më të mëdhenj të përmbajtjes propagandistike. Kina u radhit e parafundit në botë në indeksin vjetor për lirinë e shtypit, ndërsa në vendin e fundit gjendet vendi fqinj, Koreja e Veriut.
Partia Komuniste në pushtet ka shtrënguar edhe më tej kontrollin e rreptë mbi mediat në Kinë, ku të gjitha gazetat dhe transmetimet janë në pronësi të shtetit. Faqet e internetit dhe mediat sociale kanë detyrimin për të zbatuar censurën ndaj materialeve që mund të përhapin opozitarizëm ndaj regjimit monist.
Zoti Xi, drejtuesi më i fuqishëm në Kinë prej dekadash, u bëri thirrje gazetarëve gjatë një takimi për dhënien e medaljeve zyrtare në vitin 2016, që t’i përmbahen “orientimit të duhur të opinionit publik”.
Raporti i organizatës “Reporterët pa Kufij” i publikuar të mërkurën thotë se zoti Xi po zhvillon një “kryqëzatë kundër gazetarisë”. Raporti e quan “shkatërrimtar” rënien e lirisë së shtypit në Kinë.
Pekini ka një sistem kontrolli të internetit që konsiderohet të jetë ndër më të mëdhenjtë në botë. Filtrat e tij ja ndalojnë publikut kinez të shikojë faqe interneti të huaja, të organizatave të lajmeve, qeverive dhe grupeve aktiviste dhe të drejtave të njeriut.