Vendimi mbi liberalizimin e vizave pёr Kosovёn vlen vetёm pёr mbajtёsit e pasaportave kosovare. Zyrtarёt e Komisionit Evropian kanё konfirmuar se vendimi mbi heqjen e vizave nuk aplikohet për ata shtetas të Kosovës, të cilёt posedojnё pasaportat e lёshuara nga organet serbe.
Nё njё pёrgjigje me shkrim dёrguar RTK-së, zёdhёnёsja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper ka precizuar se “poseduesit e pasaportave serbe, të cilat lëshohen nga Drejtoria Koordinuese Serbe, aktualisht nuk përfitojnë nga regjimi i Serbisë pa viza me BE-në”.
Kujtojmё se kur Bashkimi Evropian, nё vitin 2009, kishte liberalizuar vizat pёr Serbinё, por nga kjo e drejtё ishin pёrjashtuar serbёt e Kosovёs qё mbajnё pasaportat e kёtij shteti. Nga Komisioni Evropian konfirmohet se po punojnё drejt asaj qё tё gjithё banorёt e e Ballkanit Perëndimor ta gëzojnë lёvizjen e lirё.
“Derisa ecim përpara me liberalizimin e vizave për Kosovën, BE-ja është e vendosur të sigurojë që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në regjimin pa viza të BE-së, me kusht që të ekzistojnë rrethanat për udhëtim të sigurt”, ka thёnё zёdhёnёsja Hipper.
Se serbёt e Kosovёs nuk mund tё pёrfitojnё nga regjimi i lёёvizjes sё lirё pa pasur pasaporta kosovare, e ka konfirmuar edhe raportuesi pёr Kosovёn nё Parlamentin Evropian, Thijs Reuten. Pas nënshkrimit të aktit ligjor për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Reuten nё njё konferencё pёr shtyp ka pёrsёritur se vendimi pёr liberalizim vlen vetëm për pasaportat e Kosovës. “[Legjislacioni] është formuluar goxha me kujdes, ashtu siç thuhet, asgjë më shumë, asgjë më pak: qytetarët e Kosovës me dokument të lëshuar nga autoritetet e Kosovës mund të udhëtojnë lirshëm”, ka deklaruar Thijs Reuten ne Strazburg.
Sipas vendimit tё miratuar dhe aktit ligjor tё nёnshkuar mё 19 prill nё Strazburg, qytetarёt e Kosovёs do të gёzojnё lёvizjen e lirё nё shtetet e zonёs Schengen nga 1 janari i vitit 2024.