Disa organizata joqeveritare, sot organizojnë marsh në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Marshi fillon në orën 12:00 dhe nis nga sheshi “Ibrahim Rugova” për të vazhduar deri te monumenti “Heroinat” përballë Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Katër organizata joqeveritare të cilat janë pjesë e platformës “Bëhu zëri im” do të marshojnë sot në mesditë në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve dhe Torturës, thotë se kësaj radhe do të marshojnë nën moton “Të rinjtë në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës” .
“Qëllimi i bashkëngjitjes së të rinjve në moton për t’i përkrahur të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës është pikërisht për faktin që në shoqërinë kosovare pak flitet për të mbijetuarit në familje prandaj, si organizatë që punojmë në këtë drejtim e kemi menduar që kjo ditë e cila i dedikohet ekskluzivisht të mbijetuarave të dhunës seksuale të luftës tani më edhe zyrtarisht me iu dhanë hapësirë të rinjve me marshu edhe me fol në raport me dhunën seksuale të ushtruar gjatë luftës kryesisht për të rinjtë por edhe për moshat e tjera”, tha ajo për Radio Kosovën.
Sipas Rushitit, marshi nis nga sheshi “Ibrahim Rugova” për të ndaluar më pas, pranë Pallatit të Rinisë dhe Sporteve aty ku është e vendosur memoriali dedikuar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës 99.
“Do të shkojmë të bëjmë homazhe te memoriali “Heroinat” dhe do të vendoset numri 14 në simbolikë të ditës për të mbijetuarit e dhunës seksuale, do të ketë disa fjalime nga vetë të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe nga ne si organizatorë. Në shenjë nderimi, do të vendosim lule anembanë në instilacionin ku 14 prill, kjo ditë më pastaj mendohet të jetë ditë zyrtare” , tha ajo.
Dy ditë më parë, përkatësisht të martën, me propozim të Presidentes Vjosa Osmani, në mbledhjen e qeverisë, 14 prilli është caktuar Ditë e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Përmes një njoftimi për media, Osmani ka theksuar se ky vendim do t’i kontribuojë ruajtjes së memories kolektive, ndërsa ka përmendur nevojën e solidarizimit me të mbijetuarit e dhunës seksuale.