Presidenti francez Emmanuel Macron tha se të jesh aleat i SHBA-së nuk do të thotë të jesh vasal i saj, duke rikonfirmuar plotësisht deklaratat e tij të diskutueshme për Tajvanin.
“Të jesh aleat nuk do të thotë të jesh vasal. Të jesh aleat nuk do të thotë se nuk kemi më të drejtë të mendojmë për veten tonë,” tha ai në një konferencë për shtyp në Amsterdam.
“Franca është në favor të status quo-së në Tajvan, mbështet politikën e një Kine dhe kërkon një zgjidhje paqësore të situatës”, shtoi ai.
Emmanuel Macron ka ndezur një valë keqkuptimesh në SHBA dhe Evropë duke i kërkuar Bashkimit Evropian “të mos kopjojë” Uashingtonin dhe Pekinin për çështjen e Tajvanit. Deklaratat u interpretuan menjëherë si një distancim nga Uashingtoni, i cili ka ofruar ndihmë me gjithë zemër për Ukrainën që nga fillimi i ofensivës ruse.
“Macron është miku ynë, dhe në të njëjtën kohë ai është duke iu lëpirë Kinës”, tha ish-presidenti amerikan Donald Trump.
“Pozicioni i Francës dhe i evropianëve për Tajvanin është i njëjtë: ne jemi në favor të status quo-së”, tha presidenti francez në Amsterdam.
“Një politikë e tillë është konstante, nuk ka ndryshuar”, shtoi ai.
Në të njëjtën kohë, Macron shprehu keqardhjen e tij që Donald Trump po kontribuon në përshkallëzimin.
“Përderisa ishte president nuk i komentova deklaratat e tij, nuk do ta bëj as tani që nuk është më president”, tha ai.
Franca nuk është indiferente ndaj tensioneve mbi Tajvanin, tha një burim diplomatik francez më herët të mërkurën, ndërsa Kina zhvilloi stërvitje ushtarake për të ushtruar presion mbi ishullin.