Ministria e Drejtësisë ka miratuar një numër të madh të politikave, akteve ligjore, e nënligjore, të cilat janë të rëndësishme dhe shtrojnë rrugën drejt zbatimit të suksesshëm të reformës, ku njëherit ka arritur të zbatojë në mënyrë të plotë 43 për qind të aktiviteteve përkatëse.
Kështu ka deklaruar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në takimin e radhës të Komitetit Drejtues të Strategjisë për Sundimin e Ligjit.
Në këtë takim është diskutuar rreth Raportit 1 vjeçar për zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit, Rregullat e Procedurës të strukturave institucionale të Strategjisë, si dhe Analizat e Politikave që i paraprijnë Planit të ri të Veprimit 2024 – 2026.
“Përkundër këtij suksesi të arritur, këto ndryshime ligjore do të përcjellën në të ardhmen edhe me masa zbatuese konkrete, ashtu që ligjet e politikat mos të mbesin vetëm në letër por ato të arrijnë tek qytetarët, pra që ata të përfitojnë nga një sistem i drejtësisë i reformuar – siç edhe e meritojnë” tha Haxhiu.
Ajo ka përmendur edhe progresin që është arritur në zhvillimin e agjencive në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, përfshirë mobilizimin që është bërë me odat e profesioneve të lira për të zbatuar detyrimet e tyre me qëllim që të sigurohet efikasitet dhe që puna e tyre ndërlidhet drejtpërdrejtë edhe me efikasitetin e gjyqësorit.
Në mbyllje të fjalës së saj, ministrja Haxhiu ka falënderuar edhe partnerët ndërkombëtar dhe pjesëtarët e shoqërisë civile për bashkëpunimin korrekt dhe shumë të dobishëm, duke luajtur një rol kyç në këtë reformë dhe në arritjen e rezultateve të dëshiruara.