Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) mbajti sot Asamblenë e Përgjithshme, ku u shpalosën të arriturat e këtij institucioni përgjatë vitit 2022.
Kjo Asamble filloi me intonimin e himnit shtetëror dhe himnit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON).
Më pas, fjalën morën presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe drejtori i sportit në Ministrinë e Kulturës Rinisë e Sportit (MKRS), Ibër Alaj.
Presidenti Krasniqi zbuloi disa prej punëve më të mira dhe vendimeve të marra të KOK-ut të vitit të kaluar.
Krasniqi: Kemi rritur buxhetin e KOK-ut për 100% nga viti paraprak 2021
“Kemi rritur buxhetin e KOK-ut për pothuajse 100% nga viti paraprak 2021, rritje kjo që do të shkojë për sportistët, trajnerët dhe aktivitetet e ndryshme… Për herë të parë Bordi Ekzekutiv ka vendosur të ndajë bursa edhe për trajnerët, ku gjashtë trajnerët më të suksesshëm do të marrin bursa çdo muaj deri në Paris 2024. Kemi rritur vlerën e bursave të 22 sportistëve të cilët synojnë normat olimpike… Kemi ngritur numrin e bursistëve ‘Shpresa Olimpike 2023’ nga 25 në 32, të cilët mbështeten me bursa mujore direkt nga të ardhurat e KOK-ut”, tha Krasniqi.