Bordi i ZRRE-së, në mbledhjen e radhës, mori vendim për rritjen e tarifave të rrymës, e cila shkon deri në 15 për qind.
Rritja prej 15 për qind përkthehet: deri në 350 kw rritja është 2.88 cent; deri në 450 kilovat, konsumatorët do të kenë rritje prej 4.5 euro në faturën mujore; 600 kw deri në 5 euro dhe mbi 800 kw në 7 euro .
Kjo rritje është e domosdoshme për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.
“Ne konsiderojmë se nëse nuk kemi furnizim të qëndrueshëm me energji, kostoja do të jetë shumëfish më e madhe sesa përqindja e propozuar. Ky është minimumi për të pasur 24 orë energji elektrike”, deklaroi Ymer Fejzullahu, kryesuesi i Bordit të ZRRE-së.
Tarifat e reja të rrymës do të hyjnë në fuqi nga 1 prilli.
Më tej, Fejzullahu sqaroi se Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavat rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë. Këtë diferencë, shtoi ai, vendi ynë importon nga jashtë, sipas çmimit të energjisë elektrike në bursën hungareze HUPX.