Gazetaria e sportit të Kosovës mbeti më e varfër pa njërin ndër gazetarët e shquar të sportit të Kosovës. Në moshën 53 vjeçare ka ndërruar jetë njëri ndër gazetarët dhe komentatorët më të shquar të Kosovës, Milaim Krasniqi. Vdekja e tij rrodhi si pasojë e komplikimeve që u shfaqën kohët e fundit nga kanceri. Përkundër përpjekjeve dhe angazhimeve të mjekëve në Kosovë, Turqi dhe në Francë, ato nuk patën sukses ngase vdekja ishte e pa shmangshme nga kjo sëmundje vrastare.
Lindi në Makoc të Prishinës më 1 qershor 1969. Studioi për gazetari dhe komunikim. Punën e gazetarit të sportit e filloi në gazetën “Bujku” në vitet ’90, ndërsa më vonë punoi në Radion “Rilindja” dhe Radion “Kosova e lirë”. Punoi edhe në Televizionin “AA” si prezentues i emisioneve të ndryshme.
Në vitin 2001 zë punë në Radio Kosovë ku ka vazhduar të punojë deri në ditët e fundit të jetës. Gjatë kësaj periudhe ka komentuar mbi 2000 ndeshje të futbollit nga vendi i ngjarjes . Vite me radhë ishte Redaktor Përgjegjës i programit në RTK-Radio Kosovë dhe kryetar i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës. Gazetaria e sportit e Kosovës mbeti pa një penë të mprehtë dhe komentator të shquar sportiv. Ai do të jetë udhërrëfyes për gjeneratat e reja. Milaimi përherë do të mbetet në mendjet dhe zemrat tona./BS/