Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill nga Lugina e Preshevës ka thënë se shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë nuk është në agjendën e Washingtonit.
Pasi tha se dialogu nuk parasheh reciprocitet në çështjen e trajtimit të komunitetit shqiptar në Serbi dhe atij serb në Kosovë, Hill tha se shkëmbimi i territoreve mund të ishte fatal, duke e cilësuar këtë çështje si “temë e shekujve të kaluar”.
“Unë nuk besoj dhe e di me siguri që shkëmbimi i territoreve nuk është në agjendën e Shteteve të Bashkuara. E di se kjo ka qenë një temë e shekujve të kaluar, jo vetëm në Europë, por edhe në vendet tjera, por shkëmbimet e territoreve mund të jenë shumë fatale dhe mund të përfundojë që shumë njerëz të mbesin të palumtur me këtë”, tha Hill të martën në një intervistë për televizionin lokal të Luginës, RTV Aldi.
“Vendimet që janë marrë në shekullin 20 kanë qenë shumë të vështira. Askush në Bruksel, askush në Washington dhe askush në rajon.. vetëm pak njerëz ndoshta mund të besojnë se shkëmbimi i territoreve do të bëhej në mënyrë paqësore”, shtoi ambasadori amerikan.