Situatat kaotike që janë krijuar kohëve të fundit në futbollin e Kosovës, qoftë ajo e moslicencimit nga ana e FFK-së nga ana e Ministrisë, apo edhe kjo me dërgimin e kryetarit Agim Ademi në arrest shtëpiak, kanë krijuar amulli të jashtëzakonshme edhe te klubet e Kosovës.
Për më tepër, këto situata tashmë kanë bërë që edhe klubet të bëhen pikë e pesë, si rezultat i problemeve që u janë ngarkuar nga këto situata, e mbi të gjitha kur po afrohet 31 marsi, kur mbyllet viti fiskal për biznese që sponsorizojnë në futboll.
Para pak javësh, kur komisioni për licencim i Ministrisë së Sportit ia ktheu mbrapshtë aplikimin për licencim FFK-së, një numër i konsiderueshëm i klubeve, si Prishtina, Drita, Trepça ’89 etj., u mblodhën dhe i ftuan edhe klubet tjera si Ballkanin, Llapin apo edhe Dukagjinin e të tjerat për të gjetur shtigje të rrugëdaljes nga kjo situatë.
Por, këto klube, si Llapi, Ballkani, Dukagjini dhe disa të tjera që njihen si përkrahëse të Agim Ademit, nuk kishin marrë pjesë në takimin e ftuar nga klubet që ishin kundër Ademit, ndonëse thuhej se qëllimi i atij takimi ishte për interes të përbashkët – të arrihet deri tek licencimi i futbollit.