Gjykata Speciale e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 26 vjet burg ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafën. Ai është shpallur fajtor për veprat: vrasje e paligjshme, torturë dhe ndalim arbitrar. Ky është aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime në Kosovë. Në përmbledhje të aktëgjykimit, Kryegjykatësja Mappie Veldt-Foglia ka thënë se dëshmitë e dëshmitarëve kanë qenë të qarta, koherente dhe përputhëse. “Dëshmitë e kanë konfirmuar njëra tjetrën”, ka thënë ajo.
Procesi gjyqësor ka nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe në të kanë marrë pjesë 29 dëshmitarë -14 të Zyrës së Prokurorit të specializuar dhe 15 të mbrojtjes. Aty përfshihen edhe tetë viktima që kanë dhënë dëshmitë e tyre. Ish prokurori i specializuar, Jack Smith, ka thënë muaj më parë se ne rastin e Mustafës, të gjitha viktimat janë shqiptarë të Kosovës.